Këshilli Prokurorial i Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka zhvilluar mbledhjen e 202-të me radhë, ku ndër të tjera është marrë edhe vendim për Drejtorin e Përgjithshëm të SKPK-së (i suspenduar), të cilin morën vendim ta shkarkojnë.





“Si pikë e rendit të ditë ishte edhe trajtimi i Raportit të Komisionit Disiplinor për rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së (i suspenduar), me ç’rast Komisioni i ka propozuar Këshillit që ndaj të njëjtit të shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës, gjë për të cilën anëtarët e KPK-së, kanë miratuar propozimin e Komisionit Disiplinor.

Mbledhja e cila është mbajtur online dhe në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19, me ç’rast janë marrë vendime lidhur me pikat e rendit të ditës.





“Gjatë këtij takimi është diskutuar dhe aprovuar Raporti gjashtëmujor i mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën janar-qershor 2021. Gjithashtu, po në këtë takim, anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë shqyrtuar dhe aprovuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit për shpalljen e brendshme për avancim të dy pozitave në Departamentin për Krime të Rënda”, thuhet në komunikatë.





Sipas komunikatës për medie, “anëtari i KPK-së, Agron Beka, para anëtarëve të Këshillit ka prezantuar Raportin e Komisionit përzgjedhës për pozitën e Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, me ç’rast ka njoftuar anëtarët e Këshillit se ky Komision ka vendosur në mënyrë unanime që të anulohet procesi për zgjedhjen e Drejtorit të NJSHPP-së deri në nxjerrjen e një rregulloreje të re”.

“Anëtarët e KPK-së kanë trajtuar dhe aprovuar Kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e Prokurorit, Zejnullah Gashi, për Udhëheqës të Departamentit të Krimeve të Rënda të kësaj Prokurorie”, thuhet në komunikatë.