Automjetet transportuese prej vitesh me vendim të Komunës janë të detyruara të kalojnë përgjatë kësaj rruge transit në Shtime, me qëllim që qyteza të shkarkohet nga peshat e mëdha.

Mirëpo, ky aks i rrugës prej 3 kilometrash është degraduar mjaft shumë duke e vështirësuar qarkullimin, megjithëse disa vjet më parë Ministria e Infrastrukturës pati shpenzuar rreth 1.5 milionë euro për ndërtimin e saj.





“Ne kemi problem siç po e shihni edhe vet, kjo as koha e luftës e as para luftës nuk ka ndodhur kështu. Ne paguajmë tatime. Çdo defekt i joni është mbi 500 euro vetëm një pllakë e “federave” që ne i themi. Plus e humbim ditën, nervozohemi dhe nuk mundemi të punojmë. Në vend që të punojmë pak më tepër duke e ditur çfarë çmime kemi të transportit dhe në çfarë gjendje jemi, kjo është tmerr. Kështu nuk është as në Rusi e askund tjetër në botë , neve na kanë lënë kështu tmerr”, ka thënë Mahmut Salihi, vozitës.





“Siç po shihet rruga është prishur prej më shumë se një vjet dhe nuk është asfaltuar nga askush. Pluhuri krejt po hyn brenda dhe spo mundem me i hap as dritaret. Edhe rruga andej nuk është asfaltuar”, ka thënë Ismet Bislmi, banor.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se kërkesat e qytetarëve dhe të vozitësve janë të arsyeshme derisa Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për riasfaltimin e kësaj rruge.

Sipas tij, Komuna që nga fillimi ka pasur ankesa ndaj këtij projekti, mirëpo ato nuk janë marrë parasysh.





“I bëjmë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës që ta bëjë punën e saj që i takon, ta mirëmbaJë këtë rrugë, ta rregullon, ta riparon duke pasur parasysh se në buxhetin e saj ka edhe buxhetin e mjaftueshëm, por jemi të njoftuar se edhe kontrata është e lidhur prej më shumë se 2 vitesh me operatorin për ta kryer këtë punë”, ka thënë Ismajli.shkruan Gazeta Plisi