Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dënuar ashpër vendimin e sotëm të autoriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e boksierëve kosovarë në territorin e tyre.Kjo është bërë për shkak të simboleve shtetërore në uniforma herën e parë, ndërsa në herën e dytë, edhe pa simbole.

“Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit. Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA)”, thuhet në njoftim.

MKRS-ja bëri thirrje që të lejohet hyrja me kohë e boksierëve kosovarë për të nisur Kampionatin Botëror.“Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor”.