Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilin raporti i auditimit të kësaj ministrie ka gjetur mospërputhje 12 milionë euroshe.Sipas Ministrisë, për qëllime të këtij projekti ishte paraparë shpronësimi i 1,059 pronave, prej të cilave 858 ishin prona private, 148 prona shoqërore dhe 53 prona të privatizuara nga procesi i privatizimit.





“Të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta në këtë proces, duke u nisur nga mungesa e buxhetimit të mjeteve që është kërkesë ligjore, e deri tek mos-respektimi i kritereve dhe procedurave të vlerësimit. Mirëpo më kryesorja që duhet të theksohet është shpërputhja e vlerave në mes të tabelës së vlerësimit të dorëzuar fillimisht nga Departamenti i Tatimit në Pronë tek asokohe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 17 maj 2019, dhe vlerave në tabelën e miratuar nga Qeveria me datë 17 dhjetor 2019”, thuhet në njoftim të MF-së, që vazhdon se segmenti në tabelat e Departamentit të tatimit në pronë është vlerësuar me shumën 31 milionë euro, ndërsa është proceduar propozim-vendimi për shpronësim në vlerë 43 milionë euro.





“Në krahasim me vlerësimin e dorëzuar nga DTP, shuma e miratuar nga Qeveria paraqet një dallim prej mbi 12 milionë euro shtesë në vlerësim. Ky dallim vie për shkakun se për disa parcela me pronarë specifikë, në tabelat e miratuara nga Qeveria që dallojnë nga vlerësimi fillestar, është bërë dyfishimi i vlerës së shpronësimit duke rezultuar kësisoj në fryrje të kostos së përgjithshme të shpronësimit, dhe potencialisht në dëmtim të buxhetit”, thuhet më tej në njoftim.

Ministria ka thënë se është e gatshme t’ia ofrojë prokurorisë “bashkëpunimin e parezervë për t’u siguruar që keqbërësit të vihen para drejtësisë”.





Të martën, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i quajti etiketime të ulëta deklaratat e Muratit, ndërsa shtoi se akuzat po vijnë për shkak se ministrat “kanë nervozë dhe shqetësim nga sondazhet, që tregojnë se e keni marrë tatëpjetën”.