Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, të enjten pritet të largohen rreth 117 shtetas afganë, të cilët ditë më parë ishin strehuar në Kosovë, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.





Destinacioni i grupit të parë që pritet të largohet thuhet të jetë Britania e Madhe.Ky grup që po largohet, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.





Këta shtetas afganë erdhën në Kosovë pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.Në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj ishin të vendosur rreth 810 refugjatë, kurse 161 në kampin amerikan Bondsteel, po ashtu në Ferizaj.





Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.