Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një bashkëbisedimi me gazetarë në konferencë për media, ka shprehur shqetësimin për tragjedinë nëpër të cilën po kalon Kosova në përballje me pandeminë Covid-19.Lideri i opozitës kërkoi reagim urgjent dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore, për ta ndalur këtë hov të kobshëm të pandemisë me shumë humbje jetësh të qytetarëve dhe numër të madh të infektimeve.Krasniqi ka konfirmuar sërish gatishmërinë e PDK-së për të kontribuar në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendime në ndihmë të qytetarëve për tejkalimin e kësaj tragjedie.





“Të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në vetëm 14 ditët e fundit tregojnë për një bilanc tragjik me 231 qytetarë që humbën jetën në përballje me virusin, si dhe me një numër prej 26.079 rastesh të reja. Ndërsa, aktualisht, raste aktive me virus, kryesisht me variantin Delta, janë 27.404. Me këtë rast, edhe një herë shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit ne tyre në këtë periudhë tragjike në të cilën po kalojmë, barra e të cilës dhe dhimbja për të cilën na prek secilin prej nesh.”, tha ai.

Lideri i PDK-së theksoi se Kosova sot është në një situatë të përkeqësuar pandemie për shkak të menaxhimit të dobët nga ana e qeverisë dhe injorimit të paralajmërimeve nga OBSH-ja dhe institucioneve tjera shëndetësore ndërkombëtare për përhapjen e variantit Delta.





“Mjerisht, të gjitha këto paralajmërime nuk i pa Qeveria e Kosovës, nuk i kushtoi vëmendje rrezikut të përhapjes së këtij varianti, dhe nuk ndërmori masat adekuate për të parandaluar rrezikun e fluksit të infektimit. Përkundrazi, në mënyrë të vazhdueshme nga kjo Qeveri kemi parë relativizim të situatës dhe një aktrim të normalitetit në një situatë krejtësisht jonormale. Është evidente dhe konstatim real e jo politik, që Qeveria nuk e menaxhoi në mënyrë efikase gjithë procesin e ballafaqimit me pandeminë. Veçmas, nuk mendoi fare për preventivën e përhapjes së variantit Delta.”, tha Krasniqi.

Ai tha se keqmenaxhimi i situatës pandemike nga qeveria vërehet në disa dimensione: në sigurimin e vaksinave, në administrimin e procesit të vaksinimit dhe në administrimin e kapaciteteve shëndetësore.Kryetari Krasniqi edhe një herë e përcolli mesazhin se beteja me pandeminë nuk është betejë politike, por është betejë për shpëtimin e jetës së qytetarëve tanë dhe se PDK ka qenë konsistente në qëndrimin e saj se duhet një front i përbashkët për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve.





“Qytetarët tanë duhet të gjejnë siguri më të madhe për t’u mbështetur në institucionet e veta, që të mos lihen e të ndihen të lënë anash e të vetmuar për asnjë çast në këtë përballje. Për këtë shkak, dy ditë më parë unë i kam dërguar një letër Kryeministrit Kurti, në të cilën kam shprehur gatishmërinë e PDK-së që në Kuvendin e Kosovës të ofrojë zgjedhje për qytetarët. Që nga fillimi i pandemisë, PDK, duke qenë në opozitë, ka dhënë ndihmën e saj në hartimin dhe votimin e Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID 19, si dhe Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. E po ashtu, kemi mbështetur marrëveshjet ndërkombëtare që synonin ndihmën për institucionet dhe kapacitetet shëndetësore përballë Covid-19.”, tha ai.





Krasniqi përsëri ka ftuar Kuvendin e Kosovës t’i pezullojë pushimet, për ta rishikuar Ligjin për Buxhetin që të gjitha nevojat emergjente të reflektohen në Buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.

“Përballë kësaj tragjedie dhe këtij trendi kaq të rëndë e të rrezikshëm njëkohësisht, sot nuk duhet të ketë prioritet më të madh e më të rëndësishëm sesa shpëtimi i jetës së qytetarëve tanë.Të gjithë duhet të bëhemi bashkë – që qytetarëve t’ua lehtësojmë barrën e ballafaqimit me këtë sfidë. Kjo është nevojë emergjente dhe domosdoshmëri.Prandaj, pres reflektim të Qeverisë, sepse gjendja është jo vetëm e rëndë, por po bëhet e pashpresë, përballë të cilës ndërgjegjja e gjithsecilit prej nesh nuk mund të peshojë asgjë më shumë sesa jetën e qytetarëve.”, përfundoi Krasniqi.