Më 1 shtator pritet të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretarit Kushtrim Cukaj dhe tre të tjerëve, Fitim Mustafa, Demush Shasha e Nuhi Osmani, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.Lajmin e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.





“Në rastin ku e pandehur është DH.H. etj, shqyrtimi fillestar është caktuar të mbahet me datë 01.09.2021 në ora 10:00”, ka thënë Gashi për “Betimi për Drejtësi”.

Ky rast do të gjykohet nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti.Ndryshe, aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 7 korrik 2021.





Ish-ministrja Hoxha, ish-sekretari Cukaj dhe Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Shasha dhe Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së.