Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin që pritet të mbahet sot në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për ta gjetur një zgjidhje për çështjen e bllokimit të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Kurti tha se uron dhe shpreson që zgjidhja të gjendet atje.





Kurti, po ashtu, tregoi edhe propozimin që tha se e mori të hënën nga komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Franco Federici. Ai tha se i është propozuar që të hiqen barrikadat dhe pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të zëvendësoheshin nga anëtarë të KFOR-it. Ndërkohë, sipas Kurtit, policët kufitarë do të mbeteshin atje.





“Me sa jam në dijeni, zëvendëskryeministri ynë, Besnik Bislimi do të zhvillojë takime të ndara me emisarin Miroslav Lajçak, dhe më pas mbase do të ketë takim me homologun e tij nga Serbia në këtë takim. Unë uroj e shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë tonë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi te unë komandanti i KFOR-it, i cili pak a shumë e dha një propozim, që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave dhe zëvendësimin e njësive speciale deri në një qetësim të situatës nga pjesëtarët e NATO-s apo KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak apo Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Ne në parim e kemi pranuar këtë”, tha Kurti.





Ai shtoi se propozimi i njëjtë u refuzua nga Serbia.“Në dakordimin që e kemi dhënë, ne jemi konsultuar paraprakisht, unë dhe ministri Sveçla, me Policinë e Kosovës. Ne kemi qenë dakord, mirëpo Serbia e ka refuzuar këtë. Javën e kaluar, Serbia e ka refuzuar takimin në Bruksel, ndërsa këtë javë propozimin e KFOR-it”, tha kryeministri gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila sot e vizitoi Kosovën.