Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj ka njoftuar se nesër bëhen 30 vjet, kur me 1 shtator 1991, është rrahur nga milicia serbe.Ai ka treguar se gjithë ngjarja ka ndodhur në Strellc të Epërm të Deçanit, ndërsa ka thënë se rrëfimi i tij duhet t`iu shërbej gjeneratave të reja.

Rrëfimi i plotë:Kur m’patën rrehë “milicia” serbe. Fort bile, në rrugë, në “pizgauer” dhe në stacion të “milicisë” në Pejë.Tri herë brenda një dite,”pandrrek”, shuplaka e shkelma. Nuk do ta harroj sa të jem gjallë. Sot gjeneratave të reja me ju tregu, me punu fort që mos me ardhë puna me i rreh as mos me i vra askush tjetër shqiptarët në shtëpi e në vend të vet.Strellc i Epërm, rreth orës 10:30, me 01 shtator 1991.





Poshtë rrugës në drejtim te Pejës jo larg shtepisë tonë, sapo ti kalojsh varrezat e poshtme të fshatit, kishte qenë një pikë kontrolli lëvizëse e “milicisë” serbe me 5-6 veta në uniformë speciale që ata e bartnin në atë kohë. “Milicia” ndalonte veturat në dy drejtime, Deçan-Pejë-Deçan.Unë isha duke ecë kembë në krahun tjetër të rrugës, nuk kishte hapsirë as me u kthy dhe as me ndërru kahje.

Tre muaj më parë i kisha mbushë 17 vjet. Adoleshent në krye, e thatanik në trup. Jo për trimëri, por me lloj guximi të njeriut që është duke shku në rrugë e në punë te vet, vendosa me ecë tutje. Kur kalova paralelisht, njëri nga ata më thirri në serbisht, hajde këndej.

Fillimisht, u bëra që nuk i ndegjova kinse nuk e kanë me mua, deri sa një “milic” tjetër me një shqipe të pastër mu drejtua: djalo eja deri këtu njeherë.

– A ke letërnjoftim dhe ku po shkon( serbisht)?

– Po, në shkollë( shqip, ja ktheva);

– A po din serbisht, ma ktheu në gjuhën shqipe, ai që si dukët ishte ose serb ose malazez nga rajoni i Dukagjinit( kishte dialekt lokal).

– I thash po ngapak di, e kemi lëndë në shkollë dhe kemi mësu sa me komuniku.

– E pse nuk po folë serbisht he “j…. ti m….”, dhe më goditi me kondak të automatikut në krahun e djathtë.





Më kujtohët që me ka zënë në gjendje të lirë dhe më ka rrëxu së paku nja dy metra.U ngrita dhe e nxorra letërnjoftimin, i cili në atë kohë ka qenë akoma në gjuhën shqipe.Vetëm e kanë shiku, e hodhën në tokë dhe me thanë merre. Me të u ulë me e marrë, kanë pasu goditjet në kokë e pas shpinde. Deri sa jam kthjellë nuk e di sa dhe në çfarë forme, por nja 3 “milic” pa perjashtim kanë sjellë me gjithë forcën.





E di që kur e kam marrë vetën, më kanë futë në “pizgauer” dhe kohë pasë kohe vazhduan me goditje. Kur me kanë gjuajt brenda, e kam kuptu se përpos meje aty i lidhur ka qenë edhe një person në vite rreth të 40-tave. Atë, e kanë rrahë panderpre deri në hyrje të Pejës, ndersa kur kemi arritë te Dylia e kanë gjuajt përtokë pothuajse të vdekur. Aty janë ndalë rreth 10 min dhe kanë bisedu në radiolidhje. Kuptohëj se duhët ta prisnin dikë. Një veturë e milicisë 101 ka ardhë dhe e ka marrë me veti. As nuk e kam mësu kush ishte atëherë, e as nuk e di as sot pas 30 viteve.

Kemi vazhdu për në stacion të milicisë në Pejë. Aty më kanë intervistu dhe mi marrë të dhënat personale. Në atë pjesën e dhomës në njëren nga ulëset ishte i lidhur edhe një djalë nga Lutogllava e Pejës, e kishin zenë që kishte dezertu nga Armata Jugosllave diku në Kroaci. Edhe ai ishte i rrahur keq. Më të kam komunikuar shkurt, e kemi pyet njëri tjerin se nga jemi dhe deri sa na është afru një milic tjetër në rroba civil na ka thënë mos të flasim mes veti.





Përgjatë 2 orëve tjera, pothuajse secili milic kush hyjke dhe dilke, “sikur e kishin me e kry ndonjë obligim” na goditnin, ose me “pandrrek” ose me grushta e shkelma. Prej aty na kanë nda në dhoma vetëm, deri në ora 16:30 nuk ka hy dhe as nuk ka folë kush me mua, deri sa ka ardhë ai milici që na intervistoj dhe mi ka gjuajt në prehër letërnjoftimin, këpucat dhe rripin.

Në ora 16:30 më kanë lëshuar para deres, mëzi që më mbanin këmbët…., deri në shtëpi më ka dërgu një taksist.

Pastaj tjerat janë procese…..mërgimi, lufta, liria, shtetndërtimi dhe deri sot përballja me ish mbetjet e agresorit dhe lufta për forcimin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës.

Astrit Zemaj

Ambasador

Bruksel 31.08.2021