Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të mërkure ka takuar kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, me të cilën biseduan për situatën aktuale dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të të dy shteteve.

Gjatë takimi, Nikolla ka falënderuar Kurtin për ndihmën që Kosova ia ka dhënë Shqipërisë në rastin e tërmetit dhe në shuarjen e zjarreve që shpërthyen shkaku i temperaturave të larta.





“Kryekuvendarja Nikolla tha se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Republikës së Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ajo tha se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë, transmeton Klankosova.tv.





Ndërsa, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se duhet intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, sepse sipas tij, janë të gjitha mundësitë që të zihet hapi si komb, teksa kërkoi të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

“U diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, përcjell Klankosova.tv.





Në këtë takim, Kurti tha se vendimi për masën e reciprocitetit është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskrimin ndaj askujt, teksa shtoi se Njësia Speciale e Kosovës janë në veri vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Lidhur me situatën aktuale kryeministri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it, dhe se Kosova është e gatshme për dialog, porse Serbia po refuzon”, bëhet e ditur përmes komunikatës së Qeverisë së Kosovës