Gjatë vitit 2020, sikurse edhe në vitet e mëparshme, komunat në veri të Kosovës: Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubin Potoku vazhdojnë të mos mbledhin të hyra nga tatimi në pronë, nga lejet e ndërtimit dhe nga pronat e dhëna në shfrytëzim, shkruan Gazeta Infokus.





Këto komuna, siç thotë Zyra Kombëtare e Auditimit, nuk kanë hartuar rregullore të brendshme për taksat, tarifat dhe ngarkesat e qytetarëve për shërbimet e përfituara publike.Prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake në këto komuna rezulton të jetë shumë i ulët.





“Kjo ka ndodhur pasi që komunat ende nuk i zbatojnë ligjet dhe nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për arkëtimin e të hyrave nga këto veprimtari që kanë ndikim të rëndësishëm në nivelin e buxhetit të komunës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet në raportin e ZKA-së.





Moszbatimi i ligjeve dhe rregulloreve për mbledhjen e tatimit në pronë, lejeve të ndërtimit, tarifave dhe taksave të tjera nga komunat, sipas ZKA-së, pasqyron një qasje joserioze ndaj zbatimit të kërkesave ligjore në këto fusha, shkruan Infokus.

Kjo rritë rrezikun e mospajtueshmërisë me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe zvogëlon nivelin e të hyrave.Ndër tjera, kjo qasje rrezikon mundësinë e financimit të projekteve nga këto burime të të hyrave./Gazeta Infokus/