Pasditen e djeshme misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë ka rritur numrin e patrullimeve në gjithë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore, shkruan Gazeta Infokus.





Shtimin e numrit të pjesëtarëve në veri të vendit, njohësi i fushës së sigurisë, Avni Islami po e sheh si një veprim të zakonshëm.

Islami në një deklaratë dhënë për Gazetën Infokus thotë se strategjia e KFOR-it ka qenë e nevojshme pas vendosjes së ushtrisë serbe dy kilometra larg Jarinjës.





“Sa i përket rritjes së numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në veri, kjo është diçka e zakonshme për shkak se me Rezolutën 1244, KFOR-i, është i mandatuar ta mbroj sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës e në kushte jonormale edhe sigurinë brenda territorit të Kosovës kur është e nevojshme. Pas dislokimit të ushtrisë serbe dhe artilerisë së rëndë në veri të Kosovës, strategjia e KFOR-it u pa se ishte e nevojshme rritja e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it të cilët janë vendosur në pika të ndryshme. Numri i tyre është rritë në mënyrë që të baraz peshohet forcat ushtarake të qeverisë serbe dhe KFOR-it ne veçanti” tha Islami.





Përmes veprimit të fundit nga KFOR-i, ai thotë se është përçuar një mesazh drejt presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që: “nuk guxon të luaj me ndërhyrje eventuale ushtarake në territorin e Kosovës”.

“Rritja e numrit të tyre e rritë sigurinë brenda territorit të Republikës së Kosovës por në të njëjtën kohë është një mesazh për Qeverinë serbe se i vetmi mandatar i cili është ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës por edhe gjendjen e sigurisë së përgjithshme publike është KFOR-it, kësisoj mendoj që Vuçiqit iu përçua një mesazh që nuk guxon të luaj me ndërhyrje eventuale ushtarake në territorin e Kosovës”, përfundon njohësi i fushës së sigurisë./Gazeta Infokus/