Tre helikopterët e ushtrisë serbe që hynë në territorin e Kosovës të premten rreth orës 16:00 pranë vendkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në veri të vendit, Jarinje, kanë provokuar Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës që është duke qëndruar afër barrikadës së serbëve.

Protestuesit serb të tubuar pranë barrikadave kanë “mirëpritur” me zë të lartë e me fishkëllima shfaqjen e helikopterëve serbë mbi territorin e Kosovës.Helikopterët e ushtrisë serbe ishin të tipit “Mi-35″ të prodhuesit rus.Helikopterët modernë të prodhuesit rus”Mi-35” ndryshe njihen edhe si “karrocat e djallit” ose “kështjella fluturuese”.





Në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, helikopterët “Mi-35”, për shkak të performancës së tyre të lartë, konsiderohen në klasën e tyre si një nga helikopterët më të mirë të sulmit në botë, të destinuar për kryerjen e detyrave luftarake në të gjitha kushtet atmosferike.

“Për shkak të fuqisë së madhe të zjarrit dhe forcës blinduese që kanë, ata quhen edhe ‘tanke fluturuese’ në perëndim dhe ‘krokodilë’ në Rusi”.





Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes serbe thuhet se me blerjen e këtyre helikopterëve “Mi35”, ushtria e tyre synon të “mbështes forcat tokësore dhe speciale” të saj.

Përdorimi kryesor i helikopterëve “Mi-35” sipas MPM-së serbe, është ekzekutimi i përfshirjes luftarake kundër objektivave në terren, në kuadrin e mbështetjes nga zjarri ajror për forcat e ushtrisë.





Përveç kësaj, “ata janë të aftë të përfshijnë objektiva në hapësirën ajrore, të kryejnë transport personeli dhe ngarkesa, të kryejnë detyra zbulimi dhe patrullimi dhe të lëshojnë ekipe ajrore”.

“Helikopterët Mi-35 posedojnë mbrojtje kundër ndikimit të armëve të këmbësorisë dhe ato janë të pajisura me pajisje moderne lundrimi, tregues dixhitalë, tregues elektronikë dhe sistem vëzhgimi”, thuhet në përshkrimin e këtyre helikopterëve në MPMS.