Në këtë kohë kur numri i dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare është më i madh se në çdo periudhë tjetër të vitit, Policia e Kosovës ka shtuar aktivitetet për të parandaluar përdorimin e armëve të zjarrit si mjet për të festuar.





Policia e Kosovës përmes një komunikate bën të ditur se nga 28 qershori e deri me 04 gusht 2021 ka konfiskuar 50 revole, 23 prej tyre me gaz, 10 armë të gjata dhe kanë arrestuar 39 persona të përfshirë në këto raste, shkruan Gazeta Infokus.





“Duke pasur parasysh se çdo plumb i dalë nga tyta e armës do të bije diku, e duke qenë se ai plumb mund të shkaktojë lëndime e në rastin më të keq edhe humbje jete, patrullat policore pa hezitim, nga 28 qershor 2021, e deri më 04 gusht 2021, në dasma e ahengje kanë konfiskuar 50 (pesëdhjetë) revole, 23 prej tyre me gaz, 10 (dhjetë) armë të gjata dhe kanë arrestuar 39 (tridhjetë e nëntë) persona të përfshirë ne këto raste”, thuhet në komunikatë.





Në njoftimin e policisë thuhet se fatbardhësisht nga këto të shtëna nuk ka pasur persona të lënduar.Policia e Kosovës edhe një herë kërkon, apelon tek të gjithë qytetarët që në gëzimet/festimet e tyre të mos përdorin armë, në mënyrë që gëzimi të mos kthehet në antonim të asaj fjale./Gazeta Infokus/