Shtime, 26 gusht 2021– Sot, kryetari i Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli i shoqëruar me strukturat udhëheqëse të komunës dhe kryetarin e Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, nënkryetarin z. Rrahman Jakupi, përfaqësues dhe udhëheqës të Shoqatave të Luftës së UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtues të institucioneve publike të komunës dhe qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule në Varrezat e Martirëve të 11 anëtarëve të familjes Asllani si dhe tek varri i 98 vjeçarit, Zeqir Asllani në fshatin Rancë.





Kryetari Ismajli ka thënë me këtë rast, “ Sot jemi mbledhur për të nderuar familjen Asllani, për të nderuar bacën Isak dhe të gjithë banorët e fshatit Rancë. Ne do të jemi çdo herë pranë jush dhe jemi të bindur se asnjëherë nuk do ta shlyejmë borxhin për të gjithë ata që derdhën gjakun për lirinë e vendit tonë sa do që do të mundohemi ta bëjmë. Të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë për lirinë e Kosovës, do t’i nderojmë breza e breza me radhë duke përçuar mesazh se në Kosovë për të fituar lirinë është derdhur gjak”. – Tha kryetari Ismajli.
Lavdi të gjithë martirëve të kombit që u flijuan për lirinë e saj!