Ish-ministrja e Arsimit në Qeverinë e Shqipërisë, Besa Shahini ka reaguar lidhur me arrestimin e kryetarit dhe disa aktivistëve të PSD-së në Prishtinë, duke thënë se kryeministri Albin Kurti po dëshiron ta shuajë çdo zë opozitar në Kosovë.Shahini ka thënë se nevoja e Kurtit për ta shuar zërin opozitar ka kaluar në absurditet, ndërsa tha se aktivistët u rrahën dhe u arrestuan dhunshëm.





“Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale – tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së – u rrahen dhe arrestuan dhunshëm. Ne korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë”, ka shkruar Shahini.





Ajo kujtoi edhe protestën kundër masave që LVV-ja i vendosi pasi erdhi në pushtet, ndërsa paraprakisht kishte mbledhur mijëra qytetarë nëpër sheshe gjatë fsuhatës zgjedhore.

“Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kunder hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve. Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut”, ka shkruar ish-ministrja.





Sipas saj, Kurti i nxjerr ministrat e vet në protestë për ta përvetësuar ndonjë kauzë, siç ishte rasti me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, per ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj, shkroi Shahini.Ajo vlerëson se demokracia në Kosovë është në rrezik dhe se e vetmja shpresë është forcimi i opozitës.





“Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet me të brishtë që nga paslufta. E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita. Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë te re dhe te zëshme po vjen duke u rritur”, ka shkruar Besa Shahini.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të partisë së tij janë arrestuar sot pasi penguan mbarvajtjen e konferencës së kryetarës së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, duke protestuar.





Dy nga aktivistët e PSD-së hyn në sallën e konferencës dhe e ndërpren atë, duke fishkëlluar. Të tjerët, e shkruan “non grata” në një veturë të Eulexit. Molliqaj gjatë arrestimit ishte gjakosur dhe policët po e shtypnin në rrugë atë dhe të tjerët, derisa po prangoseshin.