Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për qasjen ndaj administratës Biden.Abdixhiku mbrënë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka thënë se qeveria po refuzon t’u përgjigjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës për projektin rajonal të furnizimit me gaz.





“Ka një përplasje në heshtje që do të shpërthejë shumë shpejt për çështjen e gazit, unë jam njoftuar drejtpërdrejtë, do të bëhet publike shumë shpejt, nuk ka përgjigje në kërkesën e SHBA-së për prurjen e gazit në Kosovë, që është një politikë strategjike amerikanë për rajon, jo vetëm për Kosovë por për rajon dhe Qeveria e Kosovës i mbanë në stand by”, tha Abdixhiku në Rubikon.





“Do të shpërthejë skandali nëse nuk ka përgjigje pozitive, do të bëhet çështje në Kosovë, patjetër SHBA-ja ka fonde në Kosovë, ka mjete të dedikuara për Kosovën, ka projekte multi-milionëshe në sektorin e energjisë që pret nga qeveria e Kosovës për të dhënë përgjigje pozitive. Kjo është strategjikisht e gabuar, e tmerrshme si orientim, e pafalshme për Kosovën nëse ndodhë një përplasje e tillë, ose një mos koordinim i tillë”, shtoi kryetari i LDK’së.Sipas udhëheqësit të LDK-së, partia në pushtet nuk ka plan për ecjen strategjike me SHBA-të.





“Ne nuk jemi duke e përfshirë asetin tonë më të madh, kjo është administrata më pro kosovare që kanë pasur SHBA-të ndonjëherë. Ka mungesë serioze të dëshirës për të pasur SHBA-të të përfshirë këtu, jo në përmasën e bastardizimit që i kemi bërë amerikanët tash e një kohë në Kosovë, që çdo zyrtar amerikan ta lartësojmë e ta bëjmë hyjnor, por po flas për presidentin e SHBA-së me relacione familjare individuale, me një njeri që është marr me çështjen e Kosovës tash e 30 vjet e me siguri me administratën e fundit që ka memorie të gjallë për çështjen e Kosovës, besoj se këtë duhet shfrytëzuar”, u shpreh ai.